Sot dita e 5-të e protestës studentore, revoltës i bashkohet edhe Diaspora
Protestat e të rinjve në Shqipëri pritet të vijojnë edhe sot, në ditën e pestë të revoltës kundër qeverisë.
Ndryshe nga dita e djeshme, kur protestat u shoqëruan me tensione dhe përplasje me policinë, mëngjesi i sotëm në kryeqytet paraqitet më i qetë. Megjithatë, Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e situatës. Gjatë ditës së djeshme, qytetarë denoncuan në News24 kontrollet e policisë në rrugë, duke pretenduar se u ndaluan teksa kryenin angazhimet e tyre të përditshme.
Sipas raportimeve, efektivët u kërkonin të hapnin çantat, ndërsa disa prej personave të kontrolluar u shoqëruan në komisariat. Pamjet e këtyre kontrolleve u transmetuan drejtpërdrejt në News24.
Ndërkohë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit janë mbledhur çdo mbrëmje para Kryeministrisë, sot raportohet për një prani më të ulët të forcave të policisë. Këtë e bëri të ditur gazetarja e News24, Xhensila Kodra, gjatë një raportimi live nga terreni.
Pas godinës së Kryeministrisë qëndron ende një autobot me ujë, i vendosur që në ditën e parë të protestave studentore, si pjesë e masave të marra nga policia për menaxhimin e tubimeve. Kujtojmë se prej 4 ditësh po mbahen protesta masive në Tiranë dhe në rrethe, ku gjimnazistë dhe studentë janë ngritur kundër kryeministrit Edi Rama, ndërsa kërkojnë largimin e qeverisë.
Protesta e kësaj të shtune pritet të jetë më e madhe, pasi do t’i bashkohet edhe Diaspora, siç është bërë me dije në rrjete sociale.
Kërkesa kryesore e pritestuesve është largimi i kryeministrit Edi Rama.
Megjithatë Rama ka refuzuar deri tani thirrjet për dorëheqje, ndërsa ka deklaruar se aktet e dhunës nuk vijnë nga studentët. Sipas Ramës, janë disa duar të huaja që fshihen pas revoltës, që sipas tij, nuk duan integrimin e Shqipërisë në BE.
“Zëri i tyre duhet dhe do të dëgjohet me respekt. E drejta e tyre për të protestuar duhet dhe do të mbrohet si e drejtë për të cilën në kemi luftuar në kohë të ndryshme. Por pikërisht pse të rinjtë janë e ardhmja jonë, unë nuk do të lejoj askënd dhe asgjë ta rrezikojë të ardhmen e këtij vendi, as për përfitime politike të atyre duarve të paudha që janë rikthyer me tërbimin e djegies dhe shkatërrimit dhe as për qëllimet e prapështa të duarve të huaja që janë futur për të na ndalur”.
Kujtojmë se studentët të revoltuar nga qeveria kanë dëmtuar infrastrukturën, djegur institucione, por dhe disa biznese, ndërsa policia i ka shoqëruar në mënyrë të dhunshme, duke i rrahur brutalisht.